Këshilli Bashkiak i Tiranës dorëzon kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt
Këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kanë depozituar kërkesën për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Shkresa është depozituar këtë të enjte pranë sekretariatit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ajo është firmosur nga të gjithë këshilltarët socialistë në mbledhjen që zhvilluan dje në selinë e Partisë Socialiste.
Këshilltarët socialistë bazojnë kërkesën e tyre për shkarkimin e Veliajt në nenin 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", ku thuhet se "Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë".
"Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës",- theksohet në relacion.
Kujtojmë që Erion Veliaj nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se 7 muajsh, që prej arrestimit të tij më 10 shkurt 2025. Që prej asaj kohe ai ndodhet me masë sigurie arrest në burg nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Vetë Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka kërkuar disa herë në shkallët e ndryshme të gjyqësorit një masë më të lehtë sigurie, por të gjitha kërkesat i janë rrëzuar.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të kërkojnë në mbledhjen e ditës së martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Veliaj. /Shqiptarja